KODI I PRAKTIKËS PËR SJELLJEN ETIKE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË: REKOMANDIME PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SHKENCËS NË KOSOVË

PROJEKTKODI MODEL I ETIKËS PËR PERSONELIN AKADEMIK

Hyrje

Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë kuadrin për një kod model praktike për sjelljen etike të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë. Rekomandimet në këtë kod model duhet të pasqyrohen në statutet, rregullat dhe procedurat e brendshme të institucionit përkatës. Ato mbështeten në rezultatet e projektit të Këshillit të Evropës, ‘Forcimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit në arsimin e lartë’.

Parimet

Pjesëtarët e personelit akademik, të cilët emërohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë, pritet të sillen në përputhje me parimet e përgjithshme, që rrjedhin nga dokumentet burimore ndërkombëtare e janë:


ü  integriteti,

ü  ndershmëria,

ü  e vërteta,

ü  transparenca,

ü  respektimi i të tjerëve,

ü  besimi,

ü  llogaridhënia,

ü  paanshmëria,

ü  barazia,

ü  drejtësia dhe drejtësia sociale,

ü  altruizmi,

ü  objektiviteti,

ü  hapja,

ü  liria akademike.


Kodi model dhe rregullat kryesore

Në mbështetje të këtyre parimeve të përgjithshme, institucioni i arsimit të lartë duhet të miratojë e të bëjë publike Rregullat që qeverisin (i) sjelljen, përfshi disiplinën dhe sanksionet; (ii) emërimet, ngritjen në detyrë dhe ndërprerjen e punës; (iii) kërkimin shkencor dhe (iv) provimet dhe vlerësimin. Minimalisht, këto rregulla duhet të përfshijnë shprehimisht parimet e lartpërmendura dhe të parashikojnë masa ndëshkuese për mospërputhshmëri, sipas legjislacionit në fuqi. Veçanërisht, pjesëtarët e personelit akademik:

·         duhet të vendosin interesat e institucionit mbi interesat e tyre dhe nuk duhet të kërkojnë të përfitojnë nga pozitat e tyre në mënyra të ndryshme nga ato që parashikon legjislacion në fuqi;

·         nuk duhet të pranojnë asnjë udhëzim për veprim ose mosveprim në një mënyrë të caktuar nga asnjë individ, me përjashtim të një autoriteti epror i cili vepron në përputhje me principet e përgjithshme dhe me respektin e duhur ndaj lirisë akademike, ose nga një parti politike, sindikatë ose grup fetar, me përjashtim të atyre që parashikon legjislacioni në fuqi;

·         në lidhje me persona ose grupe brenda apo jashtë institucionit, nuk duhet të kërkojnë e as të pranojnë ryshfete apo shpërblime të tjera të paligjshme financiare, ose të kërkojnë apo pranojnë ndonjë nder tjetër personal, që mund t’i ndikojë në punën e tyre dhe duhet të njoftojnë menjëherë për çdo përpjekje për të kërkuar ryshfet apo ndere të tjera personale autoritetin përkatës që përcaktohet në Rregulloren e institucionit, të cilat duhet të ndërmarrin veprime të përshtatshme;

·         duhet t’i paraqesin një deklaratë me shkrim Rektorit, i cili duhet t`a raprtojë deklaraten tek Bordi, nëse ata ose një familjar i afërt kanë interesa personale në çështje që ndikojnë punën e tyre – burimet njerëzore (përfshi emërimet dhe rritje në detyrë të personelit), çështjet financiare, kontraktuale apo probleme të tjera lidhur me to;

·         nuk duhet të keqpërdorin burimet e institucionit apo informacionin personal ose tregtar që zotërohet nga ai, përfshi pronësinë intelektuale, për përfitime vetjake apo të një personi ose grupi tjetër;

·         kur marrin pjesë në emërimin, ngritjen në detyrë apo komisione të tjera që ndikojnë në personelin akademik, duhet të sillen në përputhje me parimet etike të renditura më sipër;

·         kur marrin pjesë në komisione ose organe të tjera që merren me pranimin, vlerësimin, provimin dhe veprime të tjera që lidhen me studentët, si dhe në aktivitete individuale dhe në grup me studentët, duhet të sillen në përputhje me parimet etike të renditura më sipër;

·         kur marrin pjesë në veprimtari kërkimore, nuk duhet të përfshihet në plagjiaturë, siç parashikohet në Rregulloren e institucionit, të citojë apo t’ua atribuojë punën të tjerëve, të shesë punën e të tjerëve si të vetën apo të falsifikojë rezultatet dhe duhet të respektojë parimet etike për mbrojtjen e të dhënave personale dhe parime të tjera të caktuara në fusha të tjera të përcaktuara në përputhje me Rregulloren e institucionit (për shembull, në shkencat mjekësore dhe veterinare dhe studimet sociologjike); 

·         duhet të sigurohet që të gjithë personat në varësinë e tyre të njihen me legjislacionin dhe rregullat përkatëse, si dhe pasojat e mospërputhshmërisë dhe të nxisin sjelljen etike;

·         kanë të drejtë t’i raportojnë në fshehtësi çdo mospërputhje me legjislacionin në fuqi ose parimet etike autoritetit përkatës pa pasur pasoja personale negative, duke pranuar se ofrimi i ndonjë informate që dëshmohet e pavërtetë mund të shpijej tek ndërmarrje masash disciplinore.

Rregullat e lidhura

Përveç rregullave kryesore të përmendura më sipër, duhen miratuar Rregulla të tjera apo të përshtaten rregullat ekzistuese në përputhje me parimet etike të mësipërme, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe statutin e institucionit.