KODI I PRAKTIKËS PËR SJELLJEN ETIKE NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË: REKOMANDIME PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SHKENCËS NË KOSOVË

PROJEKTKODI MODEL I ETIKËS PËR DREJTUESIT DHE ADMINISTRATORËT

Hyrje

Qëllimi i këtij dokumenti është të ofrojë kuadrin për një kod model praktik për sjelljen etike të drejtuesve dhe administratorëve të institucioneve të arsimit të lartë. Rekomandimet në këtë kod model duhet të pasqyrohen në statutet, rregullat dhe procedurat e brendshme të institucionit përkatës. Ato mbështeten në rezultatet e projektit të Këshillit të Evropës, ‘Forcimi i integritetit dhe lufta kundër korrupsionit në arsimin e lartë’.

Parimet

1.       Anëtarët e organeve drejtuese dhe administratorët e emëruar në bazë të dispozitave të Ligjit për Arsimin e Lartë pritet të sillen në përputhje me parimet e përgjithshme, që rrjedhin nga dokumentet burimore ndërkombëtare qe janë:


ü  integriteti,

ü  ndershmëria,

ü  e vërteta,

ü  transparenca,

ü  respektimi i të tjerëve,

ü  besimi,

ü  llogaridhënia,

ü  paanshmëria,

ü  barazia,

ü  drejtësia dhe drejtësia sociale,

ü  qeverisja demokratike dhe etike,

ü  altruizmi,

ü  objektiviteti,

ü  hapja,

ü  aftësia drejtuese


Organet drejtuese

Në mbështetje të këtyre parimeve të përgjithshme, çdo institucion i arsimit të lartë duhet të miratojë e publikojë një Kod Sjelljeje për anëtarët e organeve drejtuese që, së paku, përfshin këto parime dhe parashikon masa ndëshkimore për mosveprimin në përputhje me legjislacionin në fuqi. Veçanërisht, anëtarët:

·         duhet të respektojnë dispozitat ligjore që përcaktojnë dallimet midis roleve përkatëse të organit drejtues, Senatit dhe Rektorit;

·         duhet të vendosin interesat e institucionit mbi interesat e tyre dhe nuk duhet të kërkojnë të përfitojnë nga pozitat e tyre në mënyra të ndryshme nga ato që parashikohen në legjislacionin në fuqi;

·         nuk duhet të pranojnë asnjë udhëzim për veprime ose mosveprime në një mënyrë të caktuar nga asnjë individ, me përjashtim të një autoriteti epror, ose nga një parti politike, sindikatë ose grup fetar ose tjetër grup i jashtëm;

·         duhet të deklarojnë në fillim të një mbledhjeje nëse ata apo familjarë të tyre të afërt kanë ndonjë interes personal mbi çështjet e rendit të ditës për diskutim, përfshi burimet njerëzore (përfshi emërimet dhe ngritjen në detyrë të personelit), çështje financiare, kontraktuale apo çështje të tjera të lidhura me to dhe duhet të tërhiqen zyrtarisht nga mbledhja, nëse aty diskutohen çështje të tilla;

·         nuk duhet të kërkojnë e as të pranojnë ryshfete apo shpërblime të tjera financiare, ose të kërkojnë apo pranojnë ndonjë nder tjetër personal, që mund t’i ndikojë në procesin e vendimmarrjes dhe duhet të njoftojnë menjëherë autoritetet përkatëse për çdo përpjekje për ryshfet apo ofertë për nder personal;

·         në ushtrimin e autoritetit të tyre kolektiv ose personal të deleguar për hartimin ose zbatimin e rregullave për qeverisjen dhe administrimin e institucionit, të sigurohen që këto rregulla janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimet etike të renditura më sipër;

·         duhet të miratojnë procese të kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut që iu japin mundësi anëtarëve të jenë të bindur se aktivitetet financiare dhe të tjera të institucionit po kryhen në mënyrë të ndershme, transparence, efikase dhe efektive;

·         kanë të drejtë t’i raportojnë në fshehtësi autoritetit përkatës çdo veprim në mospërputhje me legjislacionin në fuqi ose parimet etike, pa pasur pasoja personale negative.

Administratorët

Gjithashtu në mbështetje të parimeve të përgjithshme të renditura më sipër, çdo  institucion i arsimit të lartë duhet të miratojë e publikojë një Kod Sjelljeje për administratorët, përfshi Rektorin, Zëvendësrektorët, Dekanët e fakultetit, Shefat e departamenteve dhe zotëruesit e titujve të ngjashëm, si dhe pjesëtarët e personelit administrativ me autoritet drejtues, që, së paku, duhet të përfshijnë këto parime dhe të parashikojnë masa ndëshkuese për mosveprimin në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në veçanti, administratorët:

·         duhet të respektojnë legjislacionin që përkufizon rolet përkatëse të organit drejtues dhe administratorëve;

·         në ushtrim të funksioneve dhe detyrave të tyre, duhet të vendosin interesat e institucionit mbi interesat e veta dhe nuk duhet të kërkojnë të përfitojnë nga pozicionet   e tyre në mënyra të tjera nga ato që parashikon legjislacioni në fuqi dhe kontrata përkatëse e punësimit;

·         nuk duhet të pranojnë asnjë udhëzim për të vepruar apo mos vepruar në një mënyrë të caktuar  nga një individ, me përjashtim të një autoriteti më të lartë apo nga një parti politike, sindikatë ose grup fetar;

·         duhet t’i deklarojnë me shkrim Rektorit (ose në rastin e Rektorit, kryetarit të bordit  drejtues), kur ata ose një familjar i afërt i tyre kanë interes personal në çështjet që ndikojnë në burimet njerëzore (përfshi emërimet e ngritjet në detyrë të personelit), financiare , kontraktuale ose çështje të tjera të lidhura me to;

·         nuk duhet të kërkojnë ose pranojnë asnjë ryshfet apo shpërblim tjetër financiar ose të kërkojë apo pranojë ndonjë nder tjetër personal, që mund t’i ndikojë në punën e tyre dhe duhet të njoftojnë menjëherë për çdo përpjekje për ryshfet apo ofrimin e një nderi personal Rektorin (ose në rastin e Rektorit, kryetarin e organit drejtues);

·         nuk duhet të keqpërdorë burimet e institucionit apo informacionin personal ose tregtar që zotërohet nga ai për përfitime vetjake apo të një personi tjetër;

·         duhet të sigurohet që të gjithë personat në varësinë e tyre të njihen me legjislacionin dhe rregullat përkatëse, si dhe pasojat e mospërputhshmërisë dhe të nxisin sjelljen etike;

·         kanë të drejtë t’i raportojnë në fshehtësi çdo mospërputhje me legjislacionin në fuqi ose parimet etike autoritetit përkatës, pa pasur pasoja personale negative.

Rregullat e lidhura

Përveç Kodeve të Sjelljes për drejtuesit dhe administratorët, duhen miratuar rregulla të tjera apo të përshtaten rregullat ekzistuese në përputhje me parimet e mësipërme etike.