MENDIM N° 12 (2009)

i

KËSHILLIT KONSULTATIV TË GJYQTARËVE EVROPIANË (KKGJE)

dhe

MENDIM N° 4 (2009)

i

KËSHILLIT KONSULTATIV TË PROKURORËVE EVROPIANË (KKPE)

“PËR GJYQTARËT DHE PROKURORËT NË NJË SHOQËRI DEMOKRATIKE”

Në vëmendje të:

KOMITETIT TË MINISTRAVE TË KËSHILLIT TË EVROPËS

Ky mendim, i adoptuar bashkërisht nga KKGJE dhe KKPE, përmban:

§ Një Deklaratë, e quajtur “Deklarata e Bordosë”;

§ Një Shënim shpjegues.

DEKLARATA E BORDOSË

“GJYQTARËT DHE PROKURORËT NË NJË SHOQËRI DEMOKRATIKE”[i]

Këshilli konsultativ i gjyqtarëve evropianë (KKGJE) dhe Këshilli konsultativ i prokurorëve evropianë (KKPE), mbi kërkesën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për të dhënë një Mendim lidhur me marrëdhëniet midis gjyqtarëve dhe prokurorëve, ranë në një mendje për sa vijon:

1. Është në interes të shoqërisë që shteti i së drejtës të garantohet nga një drejtësi e ndershme, e paanshme dhe efektive. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të sigurojnë që, në çdo gjendje dhe shkallë të procedimit, të garantohen të drejtat e liritë vetjake dhe të mbrohet rendi publik. Kjo kërkon respektimin absolut të të drejtave të personit që hetohet dhe të të dëmtuarve nga vepra penale. Çdo vendim pushimi i prokurorit duhet të kontrollohet nga gjyqtari. Një zgjidhje do të ishte lejimi i të dëmtuarit për ta ngritur çështjen drejpërsëdrejti në gjykatë.

2. Administrimi i ndershëm i drejtësisë lyp respektimin e barazisë së armëve ndërmjet prokurorit dhe mbrojtjes. Ajo kërkon, gjithashtu, respektimin e pavarësisë së gjykatës, parimit të ndarjes së pushteteve, si dhe të forcës detyruese të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

3. Rolet e ndara, por plotësuese, të gjyqtarëve dhe prokurorëve janë garanci e domosdoshme për një drejtësi të ndershme, të paanshme dhe efektive. Nuk mjafton që gjyqtarët dhe prokurorët të jenë të pavarur nga njëri-tjetri në ushtrimin e funksioneve të tyre; ata duhet jo vetëm të jenë, por edhe të duken si të tillë në sytë e publikut.

 

4. Në dispozicion të drejtësisë duhet të vihen mjete organizative, financiare, materiale dhe burime njerëzore të mjaftueshme.

5. Detyra e gjyqtarëve dhe, kur është rasti, edhe e jurisë, është gjykimi i rregullt i çështjeve të dërguara para tyre nga prokurori, jashtë çdo ndikimi të paligjshëm të ushtruar nga akuza, nga mbrojtja, apo nga çdo burim tjetër.

6. Zbatimi i ligjit dhe, kur është rasti, pushteti për të vlerësuar oportunitetin e ushtrimit të ndjekjes penale nga prokurori në fazën e hetimeve paraprake, kërkojnë që statusi i prokurorit të garantohet nga ligji në nivelet më të larta, ashtu si për gjyqtarët. Prokurorët duhet të jenë të pavarur dhe autonomë në marrjen e vendimeve dhe duhet t’i ushtrojnë funksionet në mënyrë të rregullt, objektive dhe të paanshme.

7. KKGJE-ja dhe KKPE-ja i referohen jurisprudencës së qëndrueshme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përsa i takon nenit 5, paragrafi 3 dhe nenit 6 të Konventës. Është fjala, në veçanti, për vendimet me anën e të cilave Gjykata ka pohuar nevojën që, çdo magjistrat që kryen funksione gjyqësore, të jetë i pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe nga palët, gjë që gjithsesi, nuk përjashton aspak varësinë nga një autoritet hierarkik gjyqësor i pavarur. Kur prokurorëve u jepen pushtete juridiksionale, ato duhet të kufizohen vetëm për çështje që parashikojnë dënime të ulta, nuk duhet të lejohet që ato të mund të bashkohen me të drejtën për të ushtruar ndjekjen penale në të njëjtën çështje, si dhe nuk duhet të cënojnë të drejtën e personit të akuzuar që, për të njëjtën çështje, vendimin ta marrë nga një autoritet i pavarur dhe i paanshëm që ushtron funksione gjyqësore.

8. Statusi i pavarësisë së prokurorëve kërkon të paktën respektimin e disa parimeve bazë. Në veçanti:

- gjatë ushtrimit të funksioneve ata nuk duhet t’i nënshtrohen ndikimeve ose trysnive të çdo lloji që vijnë nga jashtë zyrës së prokurorit;

- rekrutimi, karriera, qëndrueshmëria në detyrë (duke përfshirë këtu edhe transferimin që mund të kryhet vetëm sipas ligjit ose pas dhënies së pëlqimit), si dhe paga e prokurorëve, duhet të mbrohen me ligj.

9. Në një shtet të së drejtës, kur struktura e prokurorisë është hierarkike, për sa u takon prokurorëve, efektshmëria e ndjekjes penale është veçanërisht e lidhur me transparencën e urdhërave të eprorit, me llogaridhënien dhe me përgjegjësinë. Udhëzimet për prokurorët duhet të jepen me shkrim, në zbatim të ligjit dhe, kur është rasti, në përputhje me direktiva dhe kritere të bëra publike paraprakisht. Çdo rivlerësim, i paraparë nga ligji, i vendimit për ushtrimin e ndjekjes penale apo për pushimin e saj, duhet të bëhet në mënyrë të paanshme dhe objektive. Në çdo rast, duhet të mbahen parasysh interesat e personit të dëmtuar.

10. Administrimi i mirë i drejtësisë kërkon që të gjithë profesionistët e sistemit të bëjnë të tyret të njëjtat parime juridike dhe vlera etike të përbashkëta. Formimi, përfshi edhe formimin për të ushtruar detyra drejtuese, është një e drejtë dhe detyrë për gjyqtarët dhe prokurorët. Programet e formimit duhet të organizohen mbi baza paanësie dhe të vlerësohen rregullisht dhe objektivisht në këndvështrimin e efektivitetit të tyre. Kur çmohet e nevojshme, formimi i përbashkët i gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve për tema të interesit të përbashkët, mund të kontribuojë në realizimin e një drejtësie cilësisht më të lartë.

11. Interesi i shoqërisë kërkon, gjithashtu, që mjetet e informimit të kenë mundësi që ta informojnë publikun për funksionimin e sistemit gjyqësor. Autoritetet përgjegjëse duhet ta japin këtë informacion, duke respektuar veçanërisht prezumimin e pafajësisë të personave nën hetim, të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe të drejtën e jetës vetjake dhe familjare të të gjithë personave të përfshirë në proces. Gjyqtarët dhe prokurorët duhet të miratojnë kode të praktikave të mira apo linja udhëzuese që rregullojnë marrëdhëniet e tyre me mjetet e komunikimit.

12. Gjyqtarët dhe prokurorët janë aktorët kryesorë të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Është e domosdoshme që të forcohet besimi i ndërsjelltë mes autoriteteve kompetente të shteteve të ndryshme. Në këtë këndvështrim, është domosdoshmëri absolute që të dhënat e marra nga prokurorët përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të përdorura në procedime gjyqësore, të jenë transparente, si në përmbajtje, ashtu edhe përsa i përket origjinës së tyre dhe, të mund të vihen në dispozicion të gjyqtarëve dhe të gjithë palëve të interesuara, me qëllimin për të siguruar mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore.

13. Në shtetet antare ku prokurorët ushtrojnë edhe funksione jashtë fushës penale, parimet e mësipërme zbatohen edhe për këto funksione.

[Ky është një përkthim jo zyrtar në gjuhën shqipe, i kryer nga Henrik Ligori, prokuror në prokurorinë për krime të rënda, Tiranë. Përkthimi i referohet tekstit zyrtar në frëngjisht. Më pas, ai u përqas edhe me tekstin zyrtar në anglisht dhe u krahasua me përkthimin në gjuhën italiane.]

[Questa e` una traduzione non ufficiale in lingua albanese a cura di Henrik Ligori, pubblico ministero presso la procura di reati gravi a Tirana. La traduzione e` condotta sul testo ufficiale in francese. Poi, e` stato paragonato col testo ufficiale in inglese e col testo non ufficiale in italiano.]



[i] Kjo Deklaratë që vijon me një shënim shpjegues, u përgatit në Bordo të Francës nga grupi i përbashkët i punës së KKGJE-së dhe KKPE-së dhe u adoptua zyrtarisht prej tyre në Brdo të Sllovenisë, më 18 nëntor 2009.