Karta Evropiane

e Vetëqeverisjes Vendore

dhe raporti shpjegues

Traktate dhe raporte


Botimi në frëngjisht:

Charte européenne de l'autonomie locale et rapport explicatif

ISBN 92-871-0859-5

Botim i Këshillit të Evropës

F-67075 Strasbourg Cedex

ISBN 92-871-0860-9

© Këshilli i Evropës, 1986

Riprintuar në vitin 1996, mars 1998, tetor 1998, tetor 1999

Botuar në Këshillin e Evropës


I.     Karta Evropiane për Vetëqeverisjes Lokale është hartuar brenda Këshillit të Evropës nga një komitet ekspertësh qeveritarë, nën drejtimin e Komitetit Drejtues për Çështje Rajonale dhe Bashkiake, bazuar mbi një projekt të propozuar nga Konferenca e Përhershme e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës. Ajo u hap për nënshkrim si konventë për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës më 15 tetor 1985.

II.      Ky botim përmban tekstin e raportit shpjegues, përgatitur mbi bazën e diskutimeve të komisionit, i cili i është dërguar dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Ky raport nuk përbën një instrument me interpretim autoritar të tekstit të Kartës, megjithëse mund të lehtësojë të kuptuarin e dispozitave të saj.

III.   Teksti i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore është riprodhuar në këtë botim.


RAPORT SHPJEGUES

A. Origjina e Kartës

Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore është akumulim i shumë iniciativave dhe i shumë vitesh punë brenda Këshillit të Evropës.

Mbrojtja dhe forcimi i autonomisë vendore në Evropë me anë të një dokumenti që përfshin parimet e përqafuara nga të gjitha shtetet demokratike të Evropës është një ambicie e vjetër e qarqeve të qeverive vendore. Për më tepër, është pranuar që në një fazë të hershme që ky tekst duhet të synojë aderimin e atyre organeve, veprimet e të cilëve janë shumë të rëndësishme në çdo mbrojtje të autonomisë vendore – pra, aderimin e qeverive.

Këshilli i Evropës si rojtari i të drejtave të njeriut dhe si mbajtësi i parimeve të qeverisjes demokratike, është kuadri i duhur brenda të cilit mund të hartohej dhe të miratohej një instrument i tillë. Kjo bëhet akoma më e vërtetë për shkak se që prej vitit 1957, Këshilli i Evropës ka shprehur vlerësimin që i jep rëndësisë së organeve vendore, duke krijuar për ta një organ përfaqësues në nivelin evropian, i cili që prej asaj kohe është transformuar në Konferencën e Përhershme të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës (CLRAE).[1]

Ishte pikërisht kjo Konferencë e cila, në Rezolutën e saj 64 (1968), propozoi një Deklaratë Parimesh për Autonominë Vendore dhe i bëri thirrje Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ta miratonte këtë Deklaratë. Kjo iniciativë u mbështet nga Asambleja Konsultative, e cila në Rekomandimin 615 (1970) i paraqiti Komitetit të Ministrave një tekst të bazuar fort në tekstin e Konferencës së Përhershme të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës dhe të hartuar bashkërisht të dy organet. Deklarata e propozuar kishte karakter shumë të përgjithshëm dhe gjithëpërfshirës për të lejuar marrjen e ndonjë veprimi të qenësishëm.

Iniciativa e re e CLRAE-it në vitin 1981 u bazua në një qasje më dinamike, por u mor parasysh dhe pikëpamja se një deklaratë e thjeshtë jo detyruese e parimeve nuk mund të justifikonte rëndësinë e autonomisë vendore, ose natyrën e kërcënimeve ndaj të cilave ishte e ekspozuar ajo. Në të kundërtën, u tha se qeverive duhet t’u kërkohet të hyjnë në angazhime detyruese. Fleksibiliteti i nevojshëm për të marrë parasysh dallimet ndërmjet organizimeve kushtetuese kombëtare dhe traditave administrative duhej të ndërtohej jo duke reduktuar shprehimisht kërkesat e instrumentit të ri, por duke u lejuar qeverive një nivel përzgjedhjeje në lidhje me dispozitat që do të ishin detyruese për ta.

Rezultati logjik i kësaj qasjeje ishte paraqitja për Komitetin e Ministrave, në Rezolutën 126 (1981), nga CLRAE i një projekt karte evropiane të vetëqeverisjes vendore, me kërkesën që ajo të miratohej me statusin e një konvente evropiane.

Komiteti i Ministrave vendosi t’ia transmetonte propozimet e CLRAE-s Komitetit Drejtues për Çështje Rajonale dhe Bashkiake (CDRM) me synimin e diskutimit të tyre në Konferencën e 5-të të ministrave evropianë përgjegjës për qeveritë vendore (Lugano, 5-7 tetor 1982). Në përfundimet e tyre, ministrat e pranishëm në Lugano u shprehën se

“... mendojnë se kjo draft kartë përbën një hap të rëndësishëm drejt përcaktimit të parimeve të autonomisë vendore, ndërsa vëren rezervat e disa ministrave rreth nevojës për një kartë në formën e një konvente të detyrueshme dhe rreth disa aspekteve të përmbajtjes së saj;

I kërkuan Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ta udhëzonte Komitetin Drejtues për Çështjet Rajonale dhe Bashkiake (CDRM) që, në bashkëpunim me Konferencën e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, të bënin ndryshimet e nevojshme në projekt kartën evropiane të vetëqeverisjes vendore, në përputhje me komentet e lidhura me formën dhe përmbajtjen, të bëra gjatë konferencës, në mënyrë që ky tekst t’u dërgohej ministrave për miratim në konferencën e tyre pasardhëse ...”

Komiteti i Ministrave, siç u udhëzua nga CDRM-ja, bëri një rishikim të plotë të projekt kartës. Gjatë diskutimeve për zbatimin e përfundimeve të Konferencës së Luganos morën pjesë dhe përfaqësues nga CLRAE.

Teksti i projekt kartës u rishikua nga CDRM-ja dhe iu dërgua Konferencës së 6 të ministrave evropiane përgjegjës për qeverisjet vendore, të cilët u mblodhën në Romë nga data 6 deri më 8 nëntor 1984. Pas shqyrtimit të këtij teksti, ministrat shprehën miratimin e tyre unanim për parimet e përfshira në të. Në lidhje me formën ligjore që duhej të merrte karta, pjesa më e madhe e ministrave u shprehën pro një konvente.

Në kuadrin e opinioneve të Asamblesë Konsultative dhe konferencës së ministrave në Romës, Komiteti i Ministrave miratoi Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore në formën e një konvente në qershor të vitit 1985. Në njohje të faktit që iniciativa për kartën kishte ardhur nga Konferenca e Përhershme e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës, u vendos që konventa të hapej për nënshkrim më 15 tetor 1985, me rastin e sesionit të 20-të plenar të CLRAE-s.


B. Komente të përgjithshme

Qëllimi i Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore është të plotësojë mungesën e standardeve të përbashkëta evropiane për matjen dhe garantimin e të drejtave të organeve vendore, të cilat janë më pranë qytetarëve, dhe t’i japë qytetarëve mundësinë e pjesëmarrjes efektive në marrjen e vendimeve që kanë ndikim mbi mjedisin e përditshëm të tyre.

Karta i angazhon palët të zbatojnë rregullat bazë që garantojnë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të organeve vendore. Pra, ajo demonstron në nivelin evropian vullnetin politik për t’i dhënë jetë në të gjitha nivelet e administrimit territorial parimeve të mbrojtura që prej themelimit të saj nga Këshilli i Evropës, i cili e konsideron si funksionin e tij ruajtjen e ndërgjegjes demokratike të Evropës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuptimin më të gjerë të mundshëm. Në të vërtetë, Këshilli është i bindur se niveli i vetëqeverisjes që gëzohet nga të gjitha organet vendore mund të konsiderohet si gur prove i demokracisë së vërtetë.

Karta përmban tri pjesë. Pjesa e parë përmban dispozitat kryesore të parashikojnë parimet e vetëqeverisjes vendore. Ajo specifikon nevojën e themelit kushtetues dhe ligjor për vetëqeverisjen vendore, përkufizon konceptin dhe jep parimet që udhëheqin natyrën dhe objektin e kompetencave të organeve vendore. Më tej, nenet lidhen me mbrojtjen e kufijve të organeve lokale, duke pasur parasysh se ata kanë autonomi për strukturën administrative dhe marrjen në punë e personelit të aftë dhe duke përcaktuar kushtet për mbajtjen e një posti të zgjedhur vendor. Dy nenet kryesore lidhen me kufizimin e mbikëqyrjes administrative të aktiviteteve të organeve vendore dhe me të siguruarin që ata kanë burime të mjaftueshme financiare në dispozicion, aq sa nuk cenohet autonomia bazë. Pjesa tjetër e mbetur e dispozitave në këtë pjesë mbulon të drejtën e organeve vendore për të bashkëpunuar dhe për të formuar shoqata, si dhe mbrojtjen e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet të drejtës së rekursit për zgjidhje ligjore.

Pjesa II përmban dispozita të ndryshme lidhur me objektin e angazhimeve të ndërmarra nga palët. Në përputhje me synimin e të siguruarit të një ekuilibri real ndërmjet garantimit të parimeve themelore dhe fleksibilitetit të nevojshëm për të marrë parasysh veçantitë ligjore dhe institucionale të shteteve të ndryshme anëtare, Karta i lejon palët të përjashtojnë dispozita specifike të Kartës nga ato dispozita të cilat ata i konsiderojnë të detyrueshme. Në këtë mënyrë, karta përqafon një kompromis ndërmjet të pranuarit të faktit që vetëqeverisja vendore prek strukturën dhe organizimin e vetë shtetit, gjë që është shqetësim bazë për qeverinë, nga njëra anë, dhe objektivin e mbrojtjes së parimeve bazë që duhet të respektohet nga çdo sistem demokratik i qeverisjes vendore, nga ana tjetër. Për më tepër, parashikohet që angazhimet e palëve mund të shtohen pasi të jenë hequr pengesat përkatëse.

Mundësisht, parimet e vetëqeverisjes vendore të parashikuara në kartë zbatohen në të gjitha nivelet ose kategoritë e organeve vendore të të gjitha shtetet anëtare, dhe po ashtu, mutatis mutandis, dhe në organet territoriale në nivelin rajonal. Gjithsesi, për të lejuar raste specifike, palëve u lejohet të përjashtojnë kategori të caktuara organesh nga objekti i kësaj karte.

Karta nuk parashikon një sistem të institucionalizuar kontrolli për zbatimin e saj përtej kërkesës për palët për të dhënë të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me masat legjislative ose masat e tjera të marra me qëllimin e realizimit të përputhshmërisë me Kartën. Në fakt u mendua dhe për mundësinë e krijimit të një sistemi ndërkombëtar mbikëqyrjeje të ngjashëm me atë të Kartës Sociale Evropiane. Gjithsesi, u pa e udhës të mos krijohej një makineri komplekse mbikëqyrëse, pasi prania e CLRAE brenda Këshillit të Evropës, duke pasur akses të drejtpërdrejtë tek Komiteti i Ministrave, siguron kontrollin e nevojshëm politik të përputhshmërisë së kërkesave të kartës nga palët.

Pjesa e fundit e tekstit përmban dispozita përfundimtare, të cilat janë në përputhje me dispozitat e zakonshme të përdorura në konventat e hartuara nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës.

Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore është instrumenti i parë ligjor shumëpalësh që përcakton dhe garanton parimet e autonomisë vendore, një ndër shtyllat e demokracisë, mbrojtja dhe zhvillimi i së cilës është detyrë e Këshillit të Evropës. Mund të shpresohet që në këtë mënyrë, ajo do të japë një kontribut thelbësor për mbrojtjen dhe zgjerimin e vlerave të përbashkëta të Evropës.


C. Komentar mbi dispozitat e Kartës

Preambula

Preambula parashikon mundësinë e deklarimit të elementëve bazë të kartës. Ato janë, kryesisht:

–     kontributi jetik i vetëqeverisjes lokale për demokracinë, administrimin efektiv dhe decentralizimin e kompetencave;

–     roli i rëndësishëm i organeve vendore në ndërtimin e Evropës;

–     nevoja e organeve lokale që të zgjidhen në mënyrë demokratike dhe të gëzojnë autonomi të gjerë.

Neni 1

Neni 1 shpreh angazhimin e përgjithshëm të palëve për të respektuar parimet e vetëqeverisjes vendore, të parashikuara në pjesën e parë të Kartës (nenet 2-11) deri në masën e parashikuar në nenin 12.

Neni 2

Ky nen parashikon që parimi i vetëqeverisjes vendore duhet të jetë i mishëruar në ligjin e shkruar.

Duke pasur parasysh rëndësinë e parimit, është e dëshirueshme që kjo të arrihet duke e përfshirë parimin e vetëqeverisjes vendore në tekstin bazë që parashikon organizimin e shtetit, pra në kushtetutë. Gjithsesi, u pranua që në ato vende në të cilat procedura për ndryshimin e kushtetutës kërkon pëlqimin e një shumice të cilësuar të ligjbërësve, ose pëlqimin e  të gjithë popullsisë së shprehur në një referendum, mund të mos jetë e mundur që këto shtete të angazhohen për mishërimin e parimit të vetëqeverisjes vendore në kushtetutë. Po ashtu, u pranua që shtetet që nuk kanë kushtetutë të shkruar, por një kushtetutë që mund të gjendet në dokumente dhe në burime të ndryshme mund të hasen me vështirësi specifike ose mund të mos jenë në gjendje të angazhohen për pasqyrimin e vetëqeverisjes vendore në kushtetutë.

Po ashtu, duhet të merret parasysh dhe fakti që në shtetet federale, qeverisja vendore mund të jetë rregulluar nga shtetet federale, dhe jo nga qeverisja qendrore federale. Për shtetet federale kjo kartë nuk cenon në asnjë mënyrë ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet shtetit federal dhe shteteve të federuara.

Neni 3

Ky nen parashikon karakteristikat bazë të vetëqeverisjes lokale, pasi ato duhet të kuptohen për qëllimet e Kartës.

       Paragrafi 1

Nocioni i “aftësisë” shpreh idenë që e drejta ligjore për të rregulluar dhe menaxhuar çështje të caktuara publike duhet të shoqërohet me mjetet që e bëjnë të mundur realizimin efektiv të të tyre. Përfshirja e shprehjes “brenda kufijve ligjorë” njeh faktin se kjo e drejtë dhe aftësi mund të përcaktohen më nga afër nga legjislacioni.

“Nën përgjegjësinë e tyre” thekson që organet vendore nuk duhet të jenë të kufizuara vetëm në të vepruarin si agjentë të organeve më të larta.

Është e pamundur të përcaktohen ekzaktësisht se çfarë çështjesh organet vendore kanë të drejtë të trajtojnë dhe të menaxhojnë. Shprehje të tilla si “çështjet vendore” ose “çështjet e veta” janë kundërshtuar si shumë të përgjithshme dhe shumë të vështira për t’u interpretuar. Traditat e shteteve anëtare në lidhje me çështjet që konsiderohen se u përkasin organeve vendore janë shumë të ndryshme. Në fakt, pjesa më e madhe e çështjeve kanë implikime edhe vendore edhe kombëtare, dhe përgjegjësia rreth tyre mund të ndryshojë nga njëri vend në tjetrin, dhe njëra kohë në tjetrën, dhe madje kjo përgjegjësi edhe mund të ndahet ndërmjet niveleve të ndryshme të qeverisjes. Të kufizuarit e organeve vendore tek çështje të cilat nuk kanë ndikime më të gjera, do të rrezikonte uljen e statusit të tyre, duke i lidhur organet vendore me një rol skajor. Nga ana tjetër, është pranuar që shtetet dëshirojnë të mbajnë funksione të caktuara për vete, si për shembull sigurinë kombëtare. Synimi i kartës është që organet vendore të kenë një gamë të gjerë përgjegjësish, të cilat mund të realizohen në nivelin vendor. Përcaktimi i këtyre përgjegjësive është objekti i nenit 4.

       Paragrafi 2

E drejta e vetëqeverisjes duhet të ushtrohet nga organe të krijuara në mënyrë demokratike. Ky parim është në përputhje me rëndësinë që Këshilli i Evropës i jep formave demokratike të qeverisjes.

Kjo e drejtë përfshin normalisht një asamble përfaqësuese me ose pa organe ekzekutive në varësi të saj, por lejohet gjithashtu dhe mundësia e demokracisë së drejtpërdrejtë, në rastet kur kjo parashikohet në statut.

Neni 4

Siç u shpjegua në komentet e nenit 3, nuk është e mundur, dhe as nuk do të ishte e përshtatshme të përpiqeshim të numëronim në një listë shteruese kompetencash dhe përgjegjësish që lidhen me qeverisjen vendore në të gjithë Evropën. Gjithsesi, ky nen parashikon parimet e përgjithshme mbi të cilat duhet të bazohen përgjegjësitë e qeverive vendore dhe natyrën e kompetencave të tyre.

       Paragrafi 1

Përderisa natyra e përgjegjësive të organeve vendore është thelbësore për realitetin e vetëqeverisjes vendore, është në interesin e qartësisë dhe sigurisë juridike që të përcaktohen përgjegjësitë bazë të qeverive vendore mbi bazë ad hoc, të cilat duhet të jenë mjaftueshmërisht të reflektuara në legjislacion. Në realitet përgjegjësitë duhet të parashikohen nga kushtetuta ose nga një akt parlamenti (ligj). Por, pavarësisht nga përdorimi i fjalës “statut” në këtë paragraf, pranohet që në disa shtete mund të jetë e dëshirueshme që për hir të eficencës parlamenti të delegojë kompetenca për caktimin e përgjegjësive specifike, në veçanti në lidhje me detajet ose me çështjet që kërkojnë zbatim për shkak të direktivave të Komunitetit Evropian, me kusht që parlamenti të mbajë kompetencat e nevojshme të mbikëqyrjes mbi përdorimin e kompetencave të deleguara. Po ashtu, parashikohet një përjashtim në rastin e shteteve anëtare të Komunitetit Evropian, për aq kohë sa rregulloret e komunitetit (sipas të cilave neni 189 i Traktatit të Romës është drejtpërsëdrejti i zbatueshëm) parashikojnë zbatimin e një mase specifike në një nivel të caktuar administrimi.

       Paragrafi 2

Përveç përgjegjësive që i caktohen nga legjislacioni niveleve të ndryshme të qeverisjes, mund të shfaqen nevoja ose mundësi të tjera për veprim nga organet publike. Në rastet ku këto fusha veprimi kanë ndikime vendore dhe kur organet vendore nuk përjashtohen nga marrja e kompetencave të përgjithshme në pjesën më të madhe të shteteve, është e rëndësime për konceptimin e organeve vendore si subjekte politike që të veprojnë sipas legjislacionit së tyre për të ushtruar iniciativën e tyre në këto çështje. Rregullat e përgjithshme sipas të cilave organet vendore mund të veprojnë në raste të tilla mund të jenë të parashikuara në ligj. Gjithsesi, në shtete të caktuara anëtare, organet vendore duhet të jenë në gjendje të kenë të drejta ligjore (statutore) për të bazuar veprimet e tyre. Sipas këtij sistemi, ekzistenca e të cilit mbulohet nga neni 4, paragrafi 2, organeve vendore mund t’u jepet diskrecion i gjerë që shkon përtej përgjegjësive specifike.

       Paragrafi 3

Ky paragraf artikulon parimin e përgjithshëm që ushtrimi i përgjegjësive publike duhet të decentralizohet. Ky parim është përmendur në disa raste brenda kuadrit të Këshillit të Evropës, dhe në veçanti në përfundimet e Konferencës së Lisbonës për ministrat evropianë përgjegjës për qeveritë vendore në vitin 1977. Ai nënkupton që, në përjashtim të rasteve kur përmasa ose natyra e një detyre është e tillë saqë kërkon trajtim brenda një zone më të madhe territoriale, ose kur ka çështje epërsie efikasiteti ose ekonomie, përgjegjësitë publike duhet t’i besohet përgjithësisht nivelit të qeverisjes që është më pranë qytetarëve.

Gjithsesi, kjo klauzolë nuk nënkupton një kërkesë sistematike për decentralizim funksionesh tek organe të tilla vendore të cilat, për shkak të natyrës dhe madhësisë së tyre, mund të realizojnë vetëm detyra të kufizuara.

       Paragrafi 4

Ky paragraf trajton çështjen e përgjegjësive të mbivendosura. Për të qenë të qartë dhe për qëllimin e shmangies së çdo tendence për pakësim të vazhdueshëm të përgjegjësive, kompetencat normalisht duhet të jenë të plota dhe ekskluzive. Por, pavarësisht nga kjo, në fusha të caktuara kërkohen veprime plotësuese nga nivelet e ndryshme të qeverisjes dhe në këto raste është e rëndësishme që ndërhyrja nga organet qendrore dhe rajonale të kryhet në përputhje me dispozita të qarta legjislative.

       Paragrafi 5

Strukturat administrative të organeve vendore dhe njohja e tyre nga afër me kushtet vendore, mund t’i bëjnë ata organet e përshtatshme për realizimin e funksioneve të caktuara, përgjegjësia përfundimtare për të cilat u takon organeve supra-vendore. Gjithsesi, është e rëndësishme që organi i qeverisjes vendore, kur është e mundur, të lejohet të marrë parasysh rrethanat lokale gjatë ushtrimit të kompetencave të deleguara, në mënyrë që kthimi tek ky delegim të mos cenojë me tepri sferën e autoritetit të pavarësisë së organit vendor. Nga ana tjetër, pranohet që në respektim të disa funksioneve, të tilla si lëshimi i dokumenteve të identifikimit, nevoja për rregullore të unifikuara mund të mos lërë vend për diskrecion vendor.

       Paragrafi 6

Ndërkohë që paragrafët 1 deri 5 trajtojnë çështje që bien nën objektin e organeve vendore, paragrafi 6 trajton si çështjet që bien nën objektin e organeve të tilla dhe çështje të cilat janë jashtë objektit të tyre, por që i prekin në mënyrë të veçantë organet vendore. Teksti parashikon që mënyra dhe koha e konsultimit duhet të jetë e tillë që t’u lejojë organeve vendore të kenë mundësi reale të ushtrojnë ndikimin e tyre, ndërkohë që pranojnë që rrethanat përjashtimore mund të çojnë në anashkalimin e kërkesës për konsultim, në veçanti në raste urgjencash. Ky konsultim duhet të zhvillohet drejtpërsëdrejti me organin ose organet e prekura vendore, ose në mënyrë të tërthortë me anë të shoqatave të tyre në rastet kur bëhet fjalë për përfshirjen e disa pushteteve vendore.

Neni 5

Propozimet për ndryshime kufijsh, në të cilat bashkimet me organe të tjera të qeverisjes vendore janë raste ekstreme, pa dyshim janë shumë të rëndësishme për organet vendore dhe për qytetarët të cilëve u shërbejnë këto organe. Ndërkohë që në pjesën më të madhe të rasteve konsiderohet si jo realiste të pritet që komuniteti vendor të ketë kompetenca për të realizuar këto ndryshime, konsultimi paraprak i tij qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë është i domosdoshëm. Referendumet mund të jenë një procedurë e përshtatshme për konsultime të tilla, por për to nuk ekzistojnë dispozita ligjore në shumë vende. Në rastet kur dispozitat ligjore nuk e bëjnë të detyrueshëm referendumin, mund të ushtrohen forma të tjera konsultimi.

Neni 6

       Paragrafi 1

Teksti i këtij paragrafi nuk trajton përbërjen e përgjithshme të organeve të qeverisjes vendore dhe këshillave të tyre, por parashikon mënyrën sesi organizohen shërbimet e tyre administrative. Ndërkohë që ligjet qendrore ose rajonale mund të parashikojnë disa parime të përgjithshme organizimi, organet vendore duhet të jenë në gjendje të urdhërojnë strukturat e tyre administrative të marrin parasysh rrethanat e tyre vendore dhe eficencën administrative. Kërkesa të kufizuara specifike në ligjet qendrore ose rajonale të cilat lidhen, për shembull, me krijimin e komiteteve të caktuara, ose me krijimin e posteve të caktuara administrative, janë të pranueshme, por nuk duhet të jenë aq të përhapura sa të imponojnë një strukturë të ngurtë organizative.

       Paragrafi 2

Përveç strukturave të përshtatshme të menaxhimit, është shumë e rëndësishme për efikasitetin dhe efektivitetin e një organi vendor që ai të jetë në gjendje të marrë në punë dhe të mbajë një personel, aftësitë e të cilëve përkojnë me përgjegjësitë e ngarkuara. Qartazi, kjo varet në një shkallë të madhe nga aftësia e organeve vendore për të ofruar kushte mjaftueshërisht të favorshme shërbimi.

Neni 7

Ky nen synon të sigurojë që përfaqësuesit e zgjedhur të mund të mos parandalohen nga veprimi i një pale të tretë nga kryerja e funksioneve të tyre dhe që kategori personash të mos mund të ndalohen nga aspekte tërësisht materiale nga të qëndruarit në detyrë. Kushtet materiale përfshijnë kompensimin financiar për shpenzimet që rrjedhin nga ushtrimi i funksioneve dhe, sipas nevojës, kompensim për humbje të fitimeve dhe shpërblimit dhe mbrojtjes përkatëse sociale, në veçanti në rastet e këshilltarëve që zgjidhen për përgjegjësi ekzekutive me kohë të plotë. Në frymën e këtij neni, do të ishte e arsyeshme të pritet bërja e dispozitave për ri-integrimin e  personave që marrin poste me kohë të plotë në jetën normale të punës në fund të mandatit të tyre.

       Paragrafi 3

Ky paragraf parashikon që skualifikimi nga mbajtja e një posti të zgjedhuri vendor, bazohet vetëm në kritere objektive ligjore dhe jo në vendime ad hoc. Normalisht kjo do të thotë që rastet e mospërputhshmërisë duhet të parashikohen në ligj. Duhet thënë se janë vënë re raste të parimeve të fiksuara fort dhe të pashkruara ligjore, të cilat duket se ofrojnë garancitë e nevojshme.

Neni 8

Ky nen trajton mbikëqyrjen e aktiviteteve të organeve vendore nga organe të niveleve të tjera qeverisëse. Ai nuk lidhet me krijimin e mundësive për individët të ngrenë padi kundër organeve lokale, dhe as me caktimin e një avokati populli, ose të aktiviteteve të tij, ose të një organi tjetër zyrtar që ka rol hetues. Mbi të gjitha, dispozitat janë në përputhje me filozofinë e mbikëqyrjes, e cila normalisht shoqërohet me contrôles de tutelle, që janë traditë në shumë vende që para shumë kohësh. Në këtë mënyrë, dispozitat merren me praktika të tilla si kërkesat për autorizim paraprak për të vepruar, ose për hyrjen në fuqi të konfirmimit të veprimeve, kompetencën për të anuluar vendimet e një organi vendor, kontrollet kontabël, etj.

       Paragrafi 1

Paragrafi 1 parashikon nevojën e pranisë së një bazë të përshtatshme ligjore dhe përjashton procedurat ad hoc të mbikëqyrjes.

       Paragrafi 2

Mbikëqyrja administrative normalisht duhet të kufizohet në çështjen e ligjshmërisë së veprimit të organit vendor dhe jo në dobinë e tij. Një përjashtim i veçantë, por jo i vetmi, bëhet në rastin e detyrave të deleguara, kur organi që i delegon kompetencat mund të dëshirojë të ushtrojë ca mbikëqyrje mbi mënyrën sesi realizohen ato. Gjithsesi, kjo nuk duhet ta ndalojë organin vendor nga ushtrimi i të drejtave të caktuara, siç parashikohet në nenin 4, paragrafi 5.

Paragrafi 3

Teksti e merr frymëzimin nga parimi i “proporcionalitetit”, nëpërmjet të cilit organi kontrollues, gjatë ushtrimit të detyrave të tij, është i detyruar të përdorë metodën që e prek më pak autonominë vendore, ndërkohë që njëkohësisht arrin dhe rezultatet e dëshirueshme.

Përderisa e drejta për të përdorur mjetet efektive ligjore në rastet e kryerjes së parregullt të mbikëqyrjes dhe kontrollit trajtohet nga neni 11, ende nuk janë ndjerë si të domosdoshme dispozita specifike për kushtet dhe mënyrën e ndërhyrjes në situata specifike.

Neni 9

E drejta ligjore për të kryer funksione të caktuara nuk ka kuptim nëse organeve vendore u mohohen burimet e nevojshme financiare për realizimin e tyre.

Paragrafi 1

Ky paragraf kërkon të sigurojë që organeve vendore nuk u mohohet liria e përcaktimit të përparësive të shpenzimeve.

Paragrafi 2

Parimi për të cilin bëhet fjalë në këtë paragraf është nevoja e ekzistencës së një marrëdhënie të përshtatshme ndërmjet burimeve financiare të disponueshme për një organ lokal dhe detyrave që kryen ai. Kjo marrëdhënie është veçanërisht e fortë për funksione të cilat i janë caktuar specifikisht organit vendor.

Paragrafi 3

Ushtrimi i përzgjedhjes politike në peshimin e përfitimit të shërbimeve kundrejt kostos për taksapaguesit lokalë, ose për përdoruesit, është një detyrë shumë e rëndësishme e përfaqësuesve të zgjedhur vendorë. Pranohet që ligjet qendrore ose rajonale mund të përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm për kompetencat e organeve lokale për tatime dhe taksa, gjithsesi, këto kufij nuk duhet të parandalojnë funksionimin efektiv të procesit të përgjegjshmërisë vendore.

Paragrafi 4

Disa taksa ose burime financiare të qeverive vendore, nga natyra ose për shkak të arsyeve praktike, nuk i përgjigjen relativisht efekteve të inflacionit dhe faktorëve të tjerë ekonomikë. Mbështetja e tepruar në tatime ose burime të tilla mund t’i çojë organet lokale në vështirësi, pasi kostoja e ofrimit të shërbimeve ndikohet drejtpërsëdrejti nga zhvillimi i faktorëve ekonomikë. Gjithsesi, pranohet që edhe në rastin e burimeve relativisht dinamike të të ardhurave nuk mund të ketë lidhje automatike ndërmjet kostove dhe lëvizjeve të burimeve.

Paragrafi 6

Në rastet kur burimet e rishpërndara janë dhënë sipas kritereve specifike të parashikuara në legjislacion, parashikimet e këtij paragrafi plotësohen nëse konsultohen organet e qeverisjes vendore gjatë procesit të përgatitjes së legjislacionit përkatës.

Paragrafi 7

Grantet në bllok, ose madje dhe grantet specifike sipas sektorëve, janë më të preferuara nga pikëpamja e lirisë së organit lokal për të vepruar sesa grantet e dhëna për projekte specifike. Nuk do të ishte realiste të pritej që të gjitha grantet për projekte specifike të zëvendësoheshin nga grante të përgjithshme, në veçanti për investime të mëdha kapitale, por burimet e tepërta për grante të tilla e kufizojnë shumë lirinë e një organi vendor për të ushtruar të drejtën e tij në lidhje me përcaktimin e përparësive të shpenzimeve. Gjithsesi, pjesa e burimeve totale e përfaqësuar nga grantet ndryshon shumë nga një shtet në tjetrin. Një raport më i lartë i granteve për projekte specifike krahasuar me grantet e përgjithshme mund të konsiderohet i arsyeshëm kur grantet në tërësi përfaqësojnë një pjesë relativisht jo domethënëse të totalit të të ardhurave.

Fjalia e dytë e nenit 9, paragrafi 7, kërkon të sigurojë që një grant për një qëllim specifik nuk e cenon lirinë e një organi vendor për të ushtruar të drejtën brenda sferës së tij të kompetencave.

Paragrafi 8

Për organet vendore është e rëndësishme të mund të marrin hua financimi për investime kapitale. Gjithsesi, burimet e mundshme të këtij financimi varen në mënyrë të pashmangshme në strukturën e tregjeve kapitale të çdo shteti. Procedurat dhe kushtet për të përfituar nga këto burime mund të parashikohen nga legjislacioni.

Neni 10

Paragrafi 1

Ky paragraf mbulon bashkëpunimin ndërmjet organeve vendore mbi një bazë funksionale, veçanërisht me kuadrin e kërkimit të një eficence më të madhe nëpërmjet projekteve të ndërsjella, ose nëpërmjet kryerjes së detyrave që shkojnë përtej kapacitetit të një organi të vetëm. Një bashkëpunim i tillë mund të marrë formën e krijimit të konsorciumeve ose federatave të organeve, megjithëse kuadri ligjor për krijimin e strukturave të tilla mund të parashikohet në ligj.

Paragrafi 2

Paragrafi 2 flet për shoqatat objektivat e të cilave janë shumë më të përgjithshme se aspektet funksionale të paragrafit 1, dhe që normalisht kërkojnë të përfaqësojnë të gjitha organet vendore të një lloji të caktuar, ose të disa llojeve, në nivel rajonal ose kombëtar. E drejta për të qenë pjesë e organizatave të kësaj natyre nuk nënkupton njohjen nga qeveria qendrore të një shoqate individuale si bashkëbisedues të vlefshëm.

Në një instrument të këtij lloji në Këshillin e Evropës, është normale që e drejta për të qenë pjesë e shoqatave në nivelin kombëtar të shoqërohet nga e drejta paralele për të qenë pjesë e shoqatave ndërkombëtare, disa prej të cilave luajnë rol aktiv për nxitjen e unitetit evropian në linja që janë në përputhje me qëllimet e parashikuara në statutin e Këshillit të Evropës.

Gjithsesi, neni 10.2 ua lë në dorë shteteve individuale të përzgjedhin mjetet, qofshin ato legjislative ose jo, të cilat bëjnë të mundur vënien në jetë të parimit.

       Paragrafi 3

Duhet të lejohet po ashtu dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me organe vendore individuale të shteteve të tjera, megjithëse mënyra e këtij bashkëpunimi duhet të respektojë rregullat e përgjithshme ligjore që ekzistojnë në secilin shtet dhe duhet të zhvillohet brenda kuadrit të kompetencave të organeve në fjalë.

Dispozitat e Konventës Evropiane të Ravijëzimit të Bashkëpunimit Ndërkufitar ndërmjet Komuniteteve ose Autoriteteve Territoriale (21 maj 1980, ETS nr. 106) janë posaçërisht me vend në këtë aspekt, megjithëse disa forma bashkëpunimi nuk është e nevojshme të kufizohen në zonat kufitare.

Neni 11

Nëpërmjet rekursit në mjete efektive juridike nënkuptohet e drejta e një organi vendor për të përdorur:

a.    një gjykatë të krijuar mbi bazën e ligjit, ose

b.    një organ ekuivalent, të pavarur, ose statusor, që ka të drejtë të vendosë ose të këshillojë për marrje vendimi, nëse një veprim, mosveprim, vendim ose akt tjetër administrativ është ose jo në përputhje me ligjin.

Është vënë re një rast në një shtet ku, megjithëse vendimet administrative nuk ishin objekt apelimi të zakonshëm në gjykatë, ishte e mundur të përdorej një mjet ligjor i jashtëzakonshëm, i quajtur kërkesë për rihapje procesi. Ky mjet efektiv juridik, i cili mund të përdoret nëse vendimi bazohet në një zbatim jo korrekt të ligjit, është në përputhje  me kërkesat e këtij neni.

Neni 12

Formulimi i parimeve të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara në pjesën e parë të kartës, duhej të përpiqej të përfshinte larminë e gjerë të sistemeve ligjore dhe strukturave të qeverive vendor që kanë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Pavarësisht nga kjo, pranohet që qeveri të caktuara mund të kenë ende pengesa kushtetuese ose praktike për t’u angazhuar për të respektuar dispozita të caktuara të Kartës.

Si pasojë, ky nen përcakton sistemin “e bërthamës së nevojshme”, së krijuar për herë të parë nga Karta Sociale Evropiane, duke parashikuar që palët në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore kërkohet që të paktën të angazhohen për përmbushjen e njëzet nga tridhjetë paragrafët e pjesës së parë të kartës, duke përfshirë të paktën dhjetë nga bërthama e katërmbëdhjetë parimeve bazë. Gjithsesi, për shkak se qëllimi përfundimtar mbetet përputhshmëria me të gjitha dispozitat e Kartës, palët lejohen specifikisht që të shtojnë mbi angazhimet fillestare angazhime të tjera kur kjo gjë të bëhet e mundur për ta.

Neni 13

Në parim kërkesat e parashikuara në pjesën e parë të kartës lidhen me të gjitha kategoritë ose nivelet e organeve vendore për secilin shtet anëtar. Mundësisht, ato zbatohen dhe për organet rajonale, në rast se ekzistojnë organe rajonale në shtetet anëtare. Gjithsesi, forma e veçantë ligjore, ose statusi kushtetues i rajoneve të caktuara (në veçanti shtetet anëtare të federatave) mund të përjashtojë zbatimin e të njëjtave kërkesa si ato të organeve lokale. Më tej, në një ose dy shtete anëtare ekziston një kategori e organeve vendore të cilat, për shkak të përmasave të tyre të vogla, kanë vetëm kompetenca të vogla ose konsultative. Për të marrë parasysh raste të tilla përjashtimore, neni 13 i lejon palët të përjashtojnë kategori të caktuara organesh nga objekti i kësaj Karte.

Neni 14

Synimi i këtij neni është të lehtësojë monitorimin e zbatimit të Kartës nga palët, duke krijuar detyrimin që ato t’i japin informacionin e nevojshëm Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në veçanti, në mungesë të një organi të posaçëm përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Kartës, është posaçërisht e rëndësishme që Sekretarit të Përgjithshëm t’i jepet informacioni në lidhje me ndryshimet e legjislacionit, ose në lidhje me masat e tjera që kanë rol domethënës në autonominë vendore, siç përcaktohet në kartë.

Nenit 15 deri në 18

Klauzolat përmbyllëse të përfshira në nenet 15 deri në nenin 18 bazohen në modelin e klauzolave përfundimtare të konventave dhe marrëveshjeve të hartuara brenda Këshillit të Evropës.



1    Që prej 14 janarit 1994, Konferenca e Përhershme u transformua në një Kongres Autoritetesh Rajonale të Evropës (CLRAE), në shenjë njohjeje të domethënies së saj politike.