Sesioni i 29-të  

Strasburg, 20-22 tetor 2015

Vëzhgimi i zgjedhjeve vendore në Shqipëri

(21 qershor 2015)

Rekomandimi 377 (2015)[1]

1. Pas ftesës së Ministrit të Shtetit për Qeverisjen Vendore të Qeverisë së Shqipërisë për vëzhgimin e zgjedhjeve vendore të organizuara në vend më 21 qershor 2015, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale mbështetur në:

a. nenin 2, paragrafi 4 i Rezolutës Statutore të Komitetit të Ministrave (2000)1 për Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës;

b. parimet e parashikuara në Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale (ETS Nr. 122), ratifikuar nga Shqipëria më 4 prill 2000;

c. Rezolutën e Këshillit 306(2010)REV për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale – strategjia dhe rregullat e Kongresit;

d. Rezolutën e Kongresit 353(2013)REV për postmonitorimin dhe postvëzhgimin e zgjedhjeve nga Kongresi: zhvillimi i dialogut politik.

2. Thekson faktin se zgjedhjet lokale dhe rajonale të vërteta demokratike janë pjesë e procesit për krijimin dhe ruajtjen e qeverisjes demokratike dhe vëzhgimi i pjesëmarrjes politike në nivelin territorial është element kyç i rolit të Kongresit si rojtar i demokracisë në nivelin lokal dhe rajonal.

3. Kongresi e mirëpret progresin e arritur krahasuar me zgjedhjet e mëparshme lidhur me mjedisin e fushatës dhe që zgjedhjet vendore të organizuara më 21 qershor 2015 janë kryer në mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Kjo është e vërtetë dhe për fazën menjëherë pas zgjedhjeve gjatë së cilës partitë dhe koalicionet politike përgjithësisht iu shmangën pjesëmarrjes në mosmarrëveshje të dhunshme.

4. Vëren me kënaqësi se autoritetet i kanë vijuar përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit, i cili, në parim, mund të kishte ofruar bazën për zgjedhje demokratike.


5. Kongresi mirëpret veçanërisht kërkesën e re për kuotën 50 përqind për kandidatet femra për listat e kandidatëve për Këshillat Bashkiakë, e cila është zbatuar po ashtu mirë.

6. Kongresi sugjeron se mund të bëhen përmirësime të mëtejshme lidhur me legjislacionin zgjedhor dhe aspektin praktik të menaxhimit elektoral dhe, për pasojë, i fton autoritetet shqiptare:

a. të rishikojnë modalitetet e caktimit dhe shkarkimit të anëtarëve të organeve zgjedhore në të gjitha nivelet në mënyrë që të arrihet depolitizimi dhe të sigurohet profesionalizëm në të gjithë administratën zgjedhore;

b. të rishikojnë dispozitat e lidhura me kandidatët dhe partitë e pavarura që kandidojnë jashtë koalicioneve të mëdha për të siguruar të drejtën për pikënisje të barabartë për të gjitha subjektet që synojnë të marrin pjesë në zgjedhje, në veçanti lidhur me kërkesat për regjistrimin e kandidatëve dhe financimin publik;[2]

c. të përforcojnë organet përgjegjëse për procedurat e ankimimit dhe apelimit, në mënyrë që mosmarrëveshjet të zgjidhen sa më parë të jetë e mundur, veçanërisht për çështjet e depozituara përpara Ditës së Zgjedhjeve  dhe të cilat mund të kenë ndikim të mundshëm mbi rezultatet e zgjedhjeve;

d. të rregullojnë praninë dhe rolin e vëzhguesve zgjedhorë brenda dhe në afërsi të qendrave të votimit për të siguruar sekretin e votimit dhe për të shmangur presionin mbi votuesit;

e. të përforcojnë trajnimin që u jepet anëtarëve të Komisionit Zgjedhor në të gjitha nivelet në mënyrë që të rriten njohuritë e tyre mbi procedurat dhe të forcohet besimi i qytetarëve dhe aktorëve tek zgjedhjet;

f. të japin më shumë burime për procesin e numërimit për përshpejtimin e këtij procesi dhe për uljen e tensioneve politike dhe rreziqeve për trazira të lidhura me to, shkaktuar nga shtrirja në kohë e tensioneve.

7. Për më tepër, Kongresi i inkurajon autoritetet shqiptare që t’i rishikojnë dispozitat ligjore për kërkesat për vendbanim për regjistrimin e votuesve në nivelin vendor, në kuadër të rekomandimit të Kongresit për listat zgjedhore dhe për votuesit të cilët jetojnë de facto jashtë shteti.[3]

8. Së fundmi, Kongresi i inkurajon autoritetet shqiptare të rishikojnë dispozitat specifike ligjore të lidhura me median për të siguruar një gazetari të pavarur, të qëndrueshme dhe të balancuar. Në veçanti, rishikimi i kompetencave dhe përbërja e Bordit për Monitorimin e Medias mund ta forcojnë aftësinë e tij për ta monitoruar median në mënyrë më efektive dhe më të pavarur gjatë fushatave zgjedhore.



[1]E debatuar dhe miratuar nga Dhoma e Autoriteteve Lokale më 21 tetor 2015 dhe miratuar nga Kongresi më 22 tetor 2015, sesioni i 3 (shih dokumentin CPL/2015(29)2FINAL, memorandum shpjegues), raportues: Stewart DICKSON, Mbretëria e Bashkuar (L, ILDG).

[2] Rekomandimi 375(2015) dhe Rezoluta 382(2015) për kriteret për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale dhe rajonale.

[3] Sipas nenit 7 të Rekomandimit 369(2015) për listat zgjedhore dhe votuesit që banojnë de facto jashtë shtetit,

“7. Kongresi rekomandon që Komiteti i Ministrave t’i ftojë qeveritë e shteteve anëtare të sigurojnë që:

a. e drejta e nënshtetasve për të marrë pjesë, si votues ose kandidatë, në zgjedhjen e anëtarëve të këshillit ose asamblesë së autoritetit lokal ku ata jetojnë të njihet me ligj dhe si kërkesë minimale;

b. e drejta e personave të tjerë për të marrë pjesë, në përputhje me rendin përkatës kushtetues dhe detyrimet ligjore ndërkombëtare të zbatohet me garancitë e nevojshme, në mënyrë  të tillë që të garantohet menaxhimi efektiv elektoral, integriteti dhe transparenca e proceseve zgjedhore dhe parandalimi i mashtrimeve ose manipulimit gjatë zgjedhjeve lokale dhe rajonale.”